Kryeministri Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Kulturës Hajrullah Çeku, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, ka qëndruar sot në shtëpitë e familjeve të Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, dhe shtëpinë e Rexhep Malës e ka shpallur aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore.
Ilmi Ramadani, bashkëveprimtar i Rexhep Malës, i ka shpjeguar kryeministrit Kurti vendin ku ka qëndruar në ilegalitet Rexhep Mala, që ishte një lloj bunkeri, me hyrjen të mbuluar me dhe katër bazat e tjera duke qëndruar në to në ilegalitet në rrethanat e atëhershme.
“Në shekullin 20 Lëvizja Çlirimtare ka qenë shprehje tejet e rëndësishme e kulturës popullore në Kosovë dhe organizimi ilegal ka qenë infrastruktura e vullnetit të popullit për liri e për bashkim”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se në 40-vjetorin e rënies heroike të Rexhep Malës e të Nuhi Berishës, kanë vizituar këto dy familje bashkë me bashkëveprimtarët e tyre. Ai ka thënë se disa baza kanë qenë në oborrin e shtëpisë së Rexhep Malës dhe ato kanë mundësuar organizimin e qindra e më vonë edhe të mijëra veprimtarëve, të cilët kanë dhënë gjithçka për vendin dhe bashkimin kombëtar.
“Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, të gjithë ne i kemi aq shumë borxh për qëndresën e tyre, për organizimin e tyre dhe për flijimin e tyre”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.
40 vjet nga rënia e dëshmorëve Rexhep Mala e Nuhi Berisha • KosovaPress