Kurti: Shqyrtojmë mundësinë për gazin amerikan përmes Vlorës
Lajme
Lexohet për: 4 min.
Dëgjoje me zë...
Kurti: Shqyrtojmë mundësinë për gazin amerikan përmes Vlorës
Kurti12
15/07/2026 - 16:48
Linku u kopjua

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se po shqyrtojnë mundësinë për t'u furnizuar me gaz amerikan përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës.

Ai këtë deklaratë e bëri në ceremoninë e fillimit të ndërtimit të Parkut Solar në qytetin e Rahovecit.

“Dhe po shqyrtojmë mundësinë për të përdorur gazin e lëngëzuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës. Përtej rritjes së prodhimit vendor, ky projekt ka domethënie të veçantë edhe për raportin tonë me mërgatën. Kompania udhëheqëse e konsorciumit, Orllati Group, është e zhvilluar në Zvicër, ku ka fituar përvojë, kapital dhe standarde pune, të cilat tani po i sjell në Kosovë me investim afatgjatë. Për dekada mërgata jonë ka qëndruar pranë Kosovës në momentet më të vështira. Sot po shohim gjithnjë e më shumë ndërmarrës nga mërgata që po kthehen me investime, me prodhim, teknologji dhe me vende pune. Kjo është një fazë e re dhe tej mase e rëndësishme e kontributit të saj. Falënderoj qeverinë e SHBA-ve për mbështetjen në përgatitjen dhe dizajnimin e ankandit të parë solar. Ekspertiza e tyre ka ndihmuar që procesi të zhvillohet mbi praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të krijojë besim te investitorët”, tha Kurti.

“Është e rëndësishme që Kosova të ketë energji të pastër”, tha kryetari i Bordit të Lindja Solar LLC, Avni Orllati. Ai tha se është i kënaqur me projektin.

“Është shumë me rëndësi për Kosovën, për ne që të ketë energji të pastër. Do të bëhen diku 1 milion e 200 metra katrorë, panelet kanë me u qit këtu, jam shumë i kënaqur për këtë. E falendëroj shumë qeverinë, ekipet krejt që kanë punuar, çka kanë dhënë, çka kanë bërë këtë mundësi sot, çka kanë bërë këtë punë të mundshme sot”, tha ai.

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se ky park solar është gurthemeli i sektorit energjetik që, sipas saj, është më i sigurt dhe me më shumë llojshmëri të burimeve.

“Ky projekt për ne është shumë më shumë sesa këtu 105 MË që po shtohen, që po kyçen në rrjet. Këto janë tejet të rëndësishme. Mirëpo shumë përtej kësaj, për ne ky është një gur themeli i sektorit energjetik që po e ndërtojmë, më i sigurt, më me shumë llojshmëri të burimeve, më i pastër, më konkurrues dhe i, atraktiv për investime e investitorë seriozë. Çfarë kemi arritur më shumë se gjithçka, më shumë se çmimi konkurrues, më shumë se megavatët që do të shtohen, është që kemi dëshmuar se Kosova mund të zhvillojë projekte të mëdha sipas standardeve ndërkombëtare, praktikave më të mira, të tërheqë kapital, teknologji e kompani serioze”, tha ajo.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se Kuvendi Komunal ka vënë në shfrytëzim një pronë komunale rreth dy hektarë.

 “Komuna jonë, pra Komuna e Rahovecit, ka qenë partneri i përkushtuar në realizimin e këtij projekti. Investimi shtrihet në Guri të Kuq dhe Kramovik, ndërsa përmes Kuvendit të Komunës së Rahovecit kemi vënë në shfrytëzim një pronë komunale diku rreth dy hektarë. Po ashtu, në bashkëpunim me Agjencinë Pyjore të Kosovës, është realizuar edhe bartja e gjithsej 112.56 hektarëve tokë për shfrytëzim, pra për nevojat e Ministrisë së Ekonomisë për ndërtimin ose vendosjen e paneleve diellore, duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për zbatimin e suksesshëm të projektit”, tha ai.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026