Kryeministri Albin Kurti në 27 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, ka thënë se dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet, por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia.
Kurit ka shkruar në Facebook se dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë.
Postimi i plotë i Kurtit:
Kur Raphael Lemkin në librin e tij "Axis Rule in Occupied Europe" kishte përdorur termin GJENOCID për herë të parë, dyshoj të ketë konsideruar mundësinë e diskrepancës mes aspektit teorik dhe praktik të termit.
Gjenocidi si fjalë nuk është zbuluar për t'u mohuar. Por për të potencuar egërsinë dhe johumanitetin e krimeve që shkojnë përtej asaj që termet si krime lufte e krime kundër njerëzimit përfshijnë.
Ende sot, gjenocidi nënkupton ndërmarrjen e veprimeve me qëllim të shkatërrimit (të plotë ose të pjesshëm) të grupeve në aspektin kombëtar, etnik, racor ose fetar.
Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi i Srebrenicës është i shumëfishtë. Ai shkon përtej 8.273 burrave dhe djemve të vrarë. Përtej 30 mijë fëmijëve e pleqve të abuzuar e të shpërngulur me dhunë. Dëmi i shkaktuar transferohet secilin vit te dhimbja e nënave. Lotët e motrave. Traumat e përjetuara. Vuajtjet e pakontrolluara.
Dëmi i shkaktuar nga gjenocidi nuk mund të riparohet. Por ai mund të njihet duke u pranuar. E në kohën kur jetojmë ne, viktimave u vendoset kripë në plagë secilën ditë kur gjenocidi i Srebrenicës mohohet paturpshëm nga Serbia.
Kur organet që do të duhej të dilnin e të kërkonin falje me përulje, dalin e paturpësisht mohojnë ekzistencën e gjenocidit.
Në kohëra si këto, duhet të kujtojmë që hapi i parë i përsëritjes së gjenocidit është mohimi. Andaj duhet të jemi të vëmendshëm e të zëshëm në përkujtimin tonë dhe kërkesat tona për njohje dhe përulësi ndaj një prej gjenocideve më makabre të ndodhur në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.