Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në një intervistë me BBC World News Service në të cilën ka folur për lidhjet e afërta politike, ekonomike dhe ushtarake ndërmjet Serbisë dhe Rusisë dhe rrezikun që ato paraqesin për Ballkanin Perëndimor si dhe për dezinformimin si formë e luftës hibride në rajon. Ai i mohoi akuzat e zyrtarëve të lartë rus se Kosova ka dërguar luftëtarë për t'iu bashkuar trupave ukrainase sikurse edhe pretendimet e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavror se veprimet e Rusisë në Ukrainë janë njësoj me ato të intervenimit të ShBA-së dhe NATO-s në Kosovë në vitin 1999.
Kurti në këtë intervistë ka theksuar edhe se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin është i hidhëruar dhe nostalgjik e që për këtë arsye Evropa është në rrezik.
“Mendoj se Presidenti Zelensky po tregon gatishmërinë e tij për bisedime dhe marrëveshje dhe për zgjidhje paqësore. Por kam frikë se Presidenti Putin nuk dëshiron të ulet me Presidentin Zelensky, ai dëshiron të ulet me Presidentin Biden. Ju e dini se Presidenti Putin mendon se është Stalini i shekullit të 21-të dhe sheh Ruzveltin e ri te Presidenti Biden. Pra, përsëri, ata duan të copëtojnë Evropën, ata janë një perandori që duan të shtrihen përsëri në Evropën Lindore. Presidenti Putin është i hidhëruar dhe nostalgjik dhe kjo është arsyeja pse e gjithë Evropa është në rrezik”, tha Kurti.
Kurti ka folur edhe për luftën që ndodhi në Kosovë e për të cilin thotë se falë ndërhyrjes së NATO-së u ndal gjenocidi serb në Kosovë.
Lidhur me situatën në Ukrainë, kryeministri Kurti tha se janë të shqetësuar por nuk kanë frikë.
“Padyshim që ka një luftë hibride në gjashtë vendet e Ballkanin Perëndimor sepse ka përfaqësues (angl. proxies) të ndryshëm në rajonin tonë që janë të ndikuar drejtpërdrejt dhe ndoshta edhe të financuar nga Kremlini, përkatësisht Serbia fqinji jonë verior nuk e njeh Republikën tonë, por edhe Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë kanë lidhje shumë të gjera dhe të forta me Moskën. Jemi të shqetësuar, por nuk kemi frikë, jemi shumë vigjilentë, sepse është në interesin e Kremlinit të përhapë luftë, konflikt diku tjetër në mënyrë që të shkaktojë destabilizimin e Evropës kontinentale drejt asaj që besoj se është qëllimi i Presidentit despotik Putin, një tjetër konferencë e Jaltës e ngjashme me atë të Luftës së Dytë Botërore”, tha Kurti.
Tutje ai tha se “Qendra rajonale e Sputnik-ut në Ballkanin Perëndimor është në Beograd. Ka kaq shumë media online që e vlerësojnë Kremlinin dhe agresionin ushtarak të Federatës Ruse në Ukrainë dhe pushtimin rus në Ukrainë, dhe që përpiqen të nënçmojnë luftën çlirimtare të popullit ukrainas dhe guximin dhe qëndrueshmërinë e tij. Pra, lufta hibride është e mbushur me narrativa të rreme dhe dezinformata për të mbajtur lart moralin e ushtarëve rusë dhe për të pasur rekrutim në gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor për organizata të ndryshme ekstremiste të krahut të djathtë. Në veçanti Beogradi zyrtar ka lidhje të ngushta me Moskën. Gazprom-i zotëron 56% të industrisë së naftës në Serbi dhe 51% të bazenit më të madh të gazit në Evropën Juglindore që është në Banatski Dvor në Vojvodina në Serbi. Pastaj 10 vjet më parë Serbia dhe Rusia kishin dy aktivitete të përbashkëta ushtarake. Në vitin 2016 kanë pasur 50 aktivitete të përbashkëta ushtarake dhe vitin e kaluar kanë pasur 100 aktivitete të përbashkëta ushtarake. Serbia shpenzon gati 3% të BPV-së në pajisje ushtarake dhe personelin e saj ushtarak dhe ka 14 MIG-29, 8 prej tyre donacione nga Bjellorusia dhe 6 nga Rusia”.
Kurti madje foli edhe për dëshirën për anëtarësim në NATO.
Kurti mohoi se qytetarët nga Kosova po luftojnë në Ukrainë.
“Nuk është e vërtetë. Asnjë qytetar nga Kosova nuk ka shkuar të luftojë në Ukrainë, por që në fillim ne si Qeveri e Kosovës shprehëm admirimin dhe solidaritetin tonë me luftën çlirimtare të popullit ukrainas, dënuam ashpër invazionit rus dhe iu bashkuam sanksioneve të ShBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe kundër Rusisë”, tha ai.
“Mendoj se populli ukrainas ka nevojë për të gjithë ndihmën që ne mund të japim. Si Republikë e Kosovës ne tregojmë gatishmëri për të pranuar 5 mijë refugjatë dhe 20 gazetarë me kushte pune për ta në Kosovë, por tani është shumë e rëndësishme që të mos lejojmë që lufta të përhapet diku tjetër dhe të ndihmojmë Ukrainën të mposhtë Federatën Ruse”, përfundoi Kurti.