Kurti priti në takim kryesuesin ekzekutiv të Atlantic Council, gjeneralin James Jones
Lexohet për: 2 min.
24.7.2022 ZKM (1)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim kryesuesin ekzekutiv të Atlantic Council, gjeneralin James Jones, themeluesin dhe kryesuesin e Fondacionit Malama Ka’u,  Mel Yokoyama, si dhe ish-ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, Fatmir Mediu, me të cilët diskutuan për zhvillimet politike, mundësitë për investime dhe çështjet e sigurisë në Kosovë e rajon.   

Kurti e njoftoi gjeneralin Jones për progresin përgjatë një të tretës së mandatit qeverisës, duke vënë theksin te stabiliteti institucional, indikatorët pozitivë ekonomik dhe demokratik.

Ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan, sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit, sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lartë sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.

Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s, tha kryeministri Kurti, ndërsa potencoi rritjen e buxhetit për mbrojtje për 52 për qind dhe bashkëpunimin shumë të mirë dhe pjesëmarrjen në misione e stërvitje të përbashkëta të Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikane dhe me NATO-n.

Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social dhe tolerancës zero ndaj krimit e korrupsionit.

Gjenerali Jones ka qenë Komandant Suprem i Aleancës për Evropë dhe ish-këshilltar për siguri kombëtare të Presidentit të SHBA-së. Ai ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe është iniciator i Iniciativës së tre deteve Baltik, Mesdhe dhe Deti i Zi, ku janë të përfshira të gjitha vendet e Evropës Qendrore për investime në infrastrukturë, energji dhe teknologji.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025