Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim Komisionin Vlerësues të Lojërave Mesdhetare 2030, të kryesuar nga presidenti Julian Pace Bonello, dhe Sekretari i Përgjithshëm i ICMG-së, Iakovos Filippousis.
Pasi që iu uroi mirëseardhje, Kurti theksoi se sporti dhe aktiviteti fizik janë shumë të rëndësishme për Qeverinë, Kosovën dhe popullin tonë, raporton KosovaPress.Më tej, Kurti tha se organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë, në edicionin e 21-të të kësaj ngjarje multi-sportive do të shënojë moment historik në nivel rajonal, marrë parasysh që herën e fundit kur këto lojëra janë mbajtur në Ballkan ka qenë para gati gjysmë dekade, në Split të Kroacisë, në vitin 1979.
Ndërkaq, presidenti Julian Pace Bonello u shpreh se janë të impresionuar me aplikacionin e dorëzuar nga Kosova. Duke shtuar se kandidatura e Kosovës është shumë serioze.
Komisioni vlerësues i Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), po qëndron në Kosovë për të shqyrtuar dosjen e kandidaturës. Raporti përmbledhës i komisionit do të prezantohet në Asamblenë e Përgjithshme të ICMG-së, që mbahet më 8 shtator 2023 në Heraklion të Greqisë.