Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot priti në takim bordin e ndërmarrjes Trepça Sh.A, të kryesuar nga Bahri Hyseni dhe u.d e kryeshefit të ndërmarrjes Trepça Sh.A, Enis Abdurrahmani, për të diskutuar punën e deritanishme dhe hapat e mëtejmë.
Kryeministri theksoi përkushtimin që ka për Trepçën dhe minatorët dhe, siç u bë e ditur në komunikatë, u zotua për përkrahje të mëtejme dhe të vazhdueshme të Qeverisë.
Gjatë vitit 2022, Trepça ka arritur që të ulë shpenzimet, të rrisë të hyrat dhe të rrisë investimet kapitale nga buxheti vetanak. Shpenzimet e pagave dhe shpenzimet operative janë ulur për 9 për qind, respektivisht 18 për qind, të hyrat nga shitja e koncentratit të plumbit e zinkut janë rritur për 23 për qind, ndërkaq investimet kapitale nga buxheti vetanak për vitin 2022 janë rritur për 20%.
Falë një plani të kujdesshëm, ndërmarrja ka kursyer mbi 1800 MWh energji gjatë këtij viti krahasuar me periudhën paraprake, ndonëse është ballafaquar me çmimin e ngritur të tregut ndërkombëtar të energjisë.