Kurti pritet të përfundojë në tërësi mandatin, skepticizëm për zgjedhje në vjeshtë
Lexohet për: 2 min.
albin-kurti-sheshi
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Qeveria e Kosovës pritet të përfundojë në tërësi mandatin deri në shkurt të vitit 2025, pas dështimit për të arritur një konsensus me partitë opozitare për shpërndarje të Kuvendit. Megjithëse kryeministri, Albin Kurti ka shprehur preferencën që zgjedhjet të mbahet në vjeshtë, kjo gjë po shihet e pamundur nga analistët politikë.

Sipas tyre, Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme parasheh që zgjedhjet e rregullta të mbahet jo më herët se 60 ditë para përfundimit të mandatit, ndërkaq konsiderojnë se për zgjedhje të parakohshme nuk pritet të ketë vullnet opozita, pas dështimit të mbajtjes së tyre në qershor.

Megjithatë, në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje tregojnë gatishmërinë për zgjedhje kurdo që paraqitet mundësia brenda këtij viti.

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, thotë për KosovaPress, se kurdo që ka pajtim ndërmjet partive opozitare janë të gatshëm për zgjedhje.

Mirëpo, skeptik për zgjedhje të parakohshme në vjeshtë apo qofshin ato të rregullta është analisti politik, Artan Muhaxhiri.

Ai thotë për KosovaPress, se nuk ekziston ndonjë momentum opozitarë që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në vjeshtë.

Sipas tij, opozita është e përçarë për t'ia ndërprerë Kurtit mandatin, ndërkaq thotë se në bazë të legjislacionit, do të jetë e pamundur që zgjedhjet e rregullta të mbahen në vjeshtë.

Po ashtu, edhe analisti, Arbnor Sadiku, thotë se Qeveria Kurti do të jetë ekzekutivi i parë që përfundon mandatin e saj deri në fund.

Madje, ai parasheh që partia në pushtet, LVV të përafrohet me PDK-në, në një koalicion të ardhshëm qeveritar.

Gjatë kësaj jave, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, bëri të ditur se sipas tyre është ezauruar mundësia për zgjedhje të parakohshme, pas dështimit të shpërndarjes së Kuvendit brenda muajit maj.

Kundër shpërndarjes së Kuvendit janë deklaruar në LDK dhe AAK. Ata kërkojnë dorëheqjen apo shkarkimin e kryeministrit Kurti dhe më pastaj vetë-dorëheqjen e deputetëve.

Kryeministri Albin Kurti është shprehur i gatshëm për zgjedhje te parakohshme brenda këtij viti, por vetëm përmes shpërndarjes së Kuvendit./E.Zeqiri/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024