Lojërat Mesdhetare sjellin edhe zgjerimin e Qendrës së Studentëve në Prishtinë
Sport
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Lojërat Mesdhetare sjellin edhe zgjerimin e Qendrës së Studentëve në Prishtinë
kurti qs 1
21/05/2026 - 16:54
Linku u kopjua

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në prezantimin e projektit për rinovimin dhe zgjerimin e Qendrës së Studentëve në Prishtinë, në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030.

Projekti, në bashkëpunim me Agjencinë Franceze për Zhvillim, parasheh rritjen e kapaciteteve në 4500 shtretër, renovimin e konvikteve, mensës dhe palestrës “1 Tetori”, si dhe ndërtimin e objekteve të reja dhe një pishine gjysmë-olimpike.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri në detyrë Kurti theksoi rëndësinë e këtij investimi për studentët dhe të ardhmen e arsimit në vend.

“Ju dëshiroj shumë sukses. Do të na keni pranë, sepse synimi ynë është që të krijojmë kushte edhe për studim edhe për banim për studentët tanë. Në vijim do ta dyfishojmë edhe buxhetin për bursa edhe numrin e bursave për studentë. Por synojmë që t'i përdorim Lojërat Mesdhetare 2030 që të rregullohet komplet kampusi universitar me kapacitete shtesë, me pajisje moderne dhe gjithashtu me kushte të përshtatshme për jetesë aty. Dhe, mu bë qejfi kur e pashë prezantimin e projektit” – tha Kurti.

Tutje, Kurti kërkoi zbatim të shpejtë të projektit, duke theksuar se investimet do të mbeten në shërbim të studentëve edhe pas vitit 2030.

Tashmë duhet ta zbatojmë sa më shpejtë dhe me këtë rast përveç Ministrisë së Sportit dhe të Rinisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, gjithashtu falënderoj edhe Agjencinë Franceze për Zhvillim, e cila po na ndihmon që të përgatitemi sa më mirë për vitin 2030, i cili në fakt nuk kryhet më vitin 2030, sepse të gjitha objektet, infrastruktura përcjellëse që do të ndërtohet ose rinovohet na ngelet edhe më pastaj për të gjitha aktivitetet tona pasi që të kenë përfunduar Lojërat Mesdhetare 2030” – shtoi Kurti.

Qendra e Studentëve pritet të transformohet në “Fshatin e Atletëve” gjatë Lojërave Mesdhetare, ndërsa më pas do të mbetet një investim afatgjatë në shërbim të studentëve dhe arsimit të lartë në Kosovë.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026