Takimi i 27 shkurtit, Kurti: Të ecim mbi bazën e propozimit, jo të interesit të njërës palë
Lexohet për: 3 min.
96121674031382
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka deklaruar se nga takimi i 27 shkurtit në Bruksel pret të ketë diskutime të mëtutjeshme dhe të ecin mbi bazën e propozimit evropian, e jo mbi interesin e njërës palë.

Më 27 shkurt kryeministri Kurti do të takohet në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Shefi i ekzekutivit kosovar u shpreh se për gjëra tjera nuk mund të flasë tani pasi kjo varet nga ndërmjetësuesit, por shtoi se pas kësaj date presin të dinë se çka e kur.

Kurti këto komente i bëri pas pjesëmarrjes së tij në  konferencën vjetore të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) “Par Progresi Kosovë 2023”.

“Ne e kemi propozimin evropian me iniciativë franko-gjermane, që tashmë kemi konstatuar që është edhe bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme. Prandaj, nga dita e hënë kur zhvillohet takimi i radhës i takimit të lartë ne presim që edhe të ketë diskutime të mëtutjeshme edhe të ecim përpara mbi bazën e atij propozimi, mirëpo për gjërat e tjera nuk mund të flasim tani edhe për shkak se jo pak varet nga fasilituesit apo ndërmjetësit. Pas ditës së hënë do të mund të dimë më shumë se çka e kur”, u shpreh Kurti.

Lidhur me mundësinë e diskutimit për Asociacionin, kryeministri Kurti shprehu besimin se duhet t’i përmbahen propozimit evropian e jo interesit të njërës palë.

“Janë pesë fjali të preambulës, janë 10 nene gjithsej dhe unë besoj që duhet  t’i përmbahemi propozimit që kemi marrë e jo interesit të njërës palë“, theksoi ai.

Sa i takon akuzave të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, kryetari i kësaj partie, Kurti i quajti të pavërteta dhe të pasakta.

“Ato nuk janë të vërteta dhe nuk janë të sakta, është përgjigjur për këtë ministrja e Drejtësisë. Lëvizja Vetëvendosje është subjekti jo vetëm më i madh por edhe demokratike në Republikën e Kosovës dhe të gjitha çështjet ne edhe i diskutojmë hapur në forumet tona, por në të njëjtën kohë secili deputet shpreh qëndrimet e veta. Mirëpo, unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për fjalën publike të dikujt tjetër”, tha ai.

Më 27 shkurt do të zhvillohet takimi në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ky takim u thirr nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Joseph Borrell, ndërsa temë e diskutimit pritet  të jetë propozimi evropian për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Fillimisht Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të takohen me liderët, dhe më pas do të ketë një takim të përbashkët.

Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiç nuk kanë zhvilluar takim në kuadër të dialogut të Brukselit që nga nëntori i vitit 2022./B.Ibishi/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025