Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi sot se është duke u përpjekur që të gjejë një rrugëdalje për situatën në veri, derisa shtoi se është i brengosur për masat që ka ndërmarrë SHBA-ja kundër Kosovës, por asnjëherë i frikësuar.
Në Forumim “Globsec 2023” në Bratisllavë të Sllovakisë, Kurti theksoi se njësitet speciale të Policisë së Kosovës do të vazhdojnë të qëndrojnë në komunat në veri, derisa para tyre të ketë struktura kriminale.
Duke folur për raportet e Kosovës me aleatët ndërkombëtar, Kurti tha se koordinohet vazhdimisht, por kjo nuk do të thotë se pajtohet për gjithçka.
Duke folur për marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit, Kurti u shpreh kritik për moszbatimin e saj, me ç’rast tha se janë rikthyer në sindromin e vjetër, ku ka marrëveshje, por nuk zbatohen.
Tash e tri ditë në komunat veriore po vazhdojnë protestat e serbëve, të cilët po kundërshtojnë kryetarët e zgjedhur shqiptarë në zgjedhjet e mbajtura më 23 prill.
Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit./KosovaPress