Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë sot homazhe pranë bustit të atdhetarit dhe ka vizituar shtëpinë muze të Ukshin Hotit, në shënimin e 80- vjetorit të lindjes së tij.
Kryeministri ka thënë Krusha e Madhe ka qenë dhe është e tillë pikërisht për shkak të kontributit të veprimtarit Ukshin Hoti.
Duke shprehur lavdi për Ukshin Hotin dhe të gjithë dëshmorët e martirët e kombit tonë, ai, siç është bërë e ditur në komunikatë, ka thënë se duhet të rilexohen, ndiqen, dhe të bëhen praktikë mësimet e tij, në mënyrë që mungesa e tij fizike, të mos jetë asnjëherë mungesë shpirtërore.
Në shtëpinë muze të Prof. Ukshin Hotit, kryeministri Kurti ka qenë nën shoqërinë edhe të veprimtarëve të tjerë, të cilët e kanë njohur personalisht Hotin.
Për aktivitetin e tij atdhetar është arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit.
Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.
Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.
Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.