Kryeministri i Kosovës Albin Kuti ka përkujtuar sot heroin e kombit Ilir Konushevci në 24-vjetorin e rënies së tij heroike.
Ai në një shkrim të gjatë në Facebook ka shkruar se pas rënies së Zahir Pajazitit, Ilir Konushevci ishte figura kyçe e UÇK-së për Zonën Operative të Llapit.
Postimi i plotë:
Për një ushtri luftëtarësh të lirisë si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e themeluar dhe e ngritur krejtësisht nga fillimi prej vullnetarësh, një nga sfidat më të vështira qe furnizimi me armë dhe municion. Historia e logjistikës së UÇK-së, ka për kryepersonazh një nga luftëtarët me kontributin më të madh dhe më të çmuar për çlirimin e Kosovës, Ilir Konushevcin – Mërgimin. Sot është përvjetori i 24-të i vrasjes së Ilir Konushevcit, më 9 maj 1998.
Natën e 8 majit 1998, Ilir Konushevci bashkë me doktor Hazir Malajn, shtëpia e të cilit ishte menduar për një bazë të re, u nisën nga Tirana për në fshatin Tpla të Tropojës, në përcjellje të një kamioni me armë që do të dërgoheshin drejt Kosovës. Rrugës nga Qafëmali drejt Bajram Currit, pas mesnatës, afër fshatit Miliskajë, ata ranë në një pritë të organizuar, ku Iliri fillimisht u plagos, kurse një nga atentatorët u plagos rëndë dhe vdiq. Iliri Konushevci dhe doktor Hazir Malaj u vranë në orët e para të 9 majit 1998, në Poravë. Në gjendjen gati anarkike në Shqipërinë kaotike të pas trazirave të vitit 1997, ku jo të gjithë e përkrahnin luftën e UÇK-së dhe ku vepronin edhe elemente të strukturave serbe, Ilir Konushevci u vra teksa po çonte dërgesën e fundit me armë drejt Kosovës, meqë kishte vendosur që tutje të qëndronte në Kosovë. Pas vrasjes së Zahir Pajazitit, Ilir Konushevci ishte figura kyçe e UÇK-së për Zonën Operative të Llapit. Megjithëse dorasit e Ilirit u zbuluan që më 1998, asnjë instancë e drejtësisë nuk i hetoi dhe nuk i sqaroi deri në fund rrethanat e vrasjes së tij. Vrasja e Ilir Konushevcit duhet shtruar me të gjithë emrat dhe motivet e saj, para drejtësisë dhe para historisë.
Përtej nga ajo çfarë lexohet në një letër të tij, ku ai thjesht është nënshkruar me “Ju përshëndes nga zemra, ushtari i UÇK-së Mërgimi”, Ilir Konushevci ishte ushtari ideal i lirisë, i denjë për pararendësin e tij Zahir Pajaziti të cilin e pasoi në detyra. Në kujtim të gjithë veprimtarisë dhe jetës së atij që ishte koka dhe zemra e logjistikës së luftës për çlirimin e Kosovës, sot nderojmë Ilir Konushevcin, Mërgimin e UÇK-së.