Kryeministri Albin Kurti ka mirëpritur rekomandimet e Raportit për vendin nga Komisioni Evropian i cili vlerëson progresin në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Ai gjatë një takimi me shefin e Zyrës së BE-së në Prishtinë, ambasadori Aivo Orav, theksoi angazhimin e Qeverisë për të çuar përpara reformat thelbësore për anëtarësimin e Kosovës në BE.
Në pikat e tij kryesore, raporti i BE-së për Kosovën vlerëson pozitivisht liberalizimin e vizave dhe vlerëson përkushtimin për përputhshmërinë me politikat e BE-së, nga ku veçohet linjëzimi me politikën e jashtme të BE-së një hap që reflekton angazhimin për bashkëpunim dhe integrim të plotë në familjen evropiane.
Në raport gjithashtu vlerësohet angazhimi aktiv i Kosovës në zbatimin e Planit të Rritjes, agjendën e reformave si dhe angazhimin në promovimin e bashkëpunimit rajonal në zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA me marrëveshje të reja që forcojnë tregtinë dhe lidhjet ekonomike brenda rajonit.Raporti vëren se nuk ka pasur asnjë ecje mbrapa në asnjërën nga fushat kyçe të reformës, ndërkohë që pothuajse në të gjitha fushat është shënuar progres – dëshmi kjo e përkushtimit të qeverisë për përparim dhe progres të vazhdueshëm.