Kurti për Blerim Isufajn: Asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë
Lexohet për: 3 min.
0-.-Albin-Kurti-2.22.22-33-of-41-4-2
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti tha se Blerim Isufaj që po synon të bëhet kryeprokuror i shtetit, nuk e ka asnjë rast të fituar në gjykatë. Për të njëjtin u shpreh se nuk është vullneti i presidentes, kryeparlamentarit dhe kryeministrit.

Shefi i ekzekutivit u shpreh se në Prokurorinë e Shtetit ekziston disponim negativ ndaj qeverisjes së tij. Teksa ka folur për arrestimin e djeshëm të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ai shtoi se prokuroria është e zellshme të merret me udhëheqjen e re të bordeve.

Gjatë seancës plenare, kryeministri Kurti ka deklaruar se emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë është vet Blerim Isufaj.

“Unë nuk kam dyshim që në Prokurorinë e Shtetit dhe atë sa më lartë aq më shumë, ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj meje si kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë. Dhe jo vetëm ndaj qeverisjes sonë, por edhe ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021 nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat e sollën ndryshimin e madh në Republikën tonë. Dhe kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj. Bëhet fjalë për një prokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanaj e kategorizoi në vetëvrasje, ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në kryeministri, Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje. Dhe njëkohësisht bëhet fjalë për një prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në gjykatë”, ka thënë ai.

Më tej, Kurti ka shtuar se vendi më i lakmuar në Kosovë është pozita e kryeprokurorit të shtetit.

Shefi i ekzekutivit tha se udhëheqja e re e bordit ka dërguar me dhjetëra dëshmi e fakte për keqpërdorimet që ka gjetur aty, por prokuroria nuk është marrë me to.

Teksa u shpreh se opozita është gëzuar për arrestimin e Krasniqit, kryeministri Kurti shtoi se ‘dënim me vdekje nuk ka në Kosovë’.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti shtoi se edhe pas katër vitesh, prej kur mundësohet gjykimi në mungesë, rezultatet janë të pakta. 

Po ashtu, Kurti shtoi se Agjencioni i Kosovës për Intelegjencë ka dërguar fakte e dëshmi për shkeljet e panumërta që janë bërë në veri të Kosovës.

Ai ka përsëritur se me 14 shkurt ka ndodhur ndryshimi i madh për drejtësi dhe punësim, por për të parën u shpreh se nevojitet vettingu. /Sh. Pajaziti

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024