Kurti për BBC: Politika e butë e ndërkombëtarëve ndaj Serbisë nuk do të funksionojë
Lexohet për: 4 min.
0 Albin Kurti 2022 Emerald (2)
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova rregullisht komunikon dhe koordinohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, derisa ka shtuar se në drejtim të deeskalimit të situatës në veri, ka ofruar zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore. Në një intervistë për BBC, Kurti ka thënë se politika e butë e ndërkomëtarëve ndaj Serbisë nuk do të funksionojë.

Ai ka thënë se Kosova nuk duhet të paguajë për shkak të frikës të ndërkombëtarëve për mundësinë e përhapjes së konfliktit në Ballkan për shkak të lidhjeve të Serbisë me Moskën.

“Sipas mendimit tim, ajo që ata po përpiqen të bëjnë është të jenë të butë ndaj Serbisë në përpjekje për ta larguar atë nga ndikimi i Kremlinit dhe mendoj se kjo politikë nuk do të funksionojë. Nuk kam shpjegim tjetër pse po tolerojnë kaq shumë. Nuk di si t'ia shpjegoj vetes dhe të tjerëve se sa të butë janë ata me Beogradin. Mendoj se ata janë kaq të shqetësuar për mundësinë e përhapjes së konfliktit në Ballkan dhe kjo është reale për shkak të lidhjes së Beogradit me Moskën, por edhe ata e dinë se sundimtari serb në Beograd nuk është demokrat dhe ka shumë pushtet. Ky lloj pushteti hegjemonist rajonal që mund ta lidhë në mënyrë indirekte me Moskën po shkakton shumë frikë në Perëndim dhe për të cilin besoj se Republika e Kosovës nuk duhet të paguajë”, ka thënë ai.

I pyetur se sa i është afruar Kosova ripërtëritjes së konfliktit në muajt e fundit, kreu i ekzekutivit kosovar ka përmendur situatën e rënduar për shkak të dy organizatave tashmë të shpallura terroriste, “Mbrojtja civile” dhe “Brigada e veriut”,

“Ka qenë shumë e rëndë sepse dy organizatat terroriste ekstremiste që financohen nga Serbia dhe nga ku marrin edhe urdhrat e tyre ‘Mbrojtja civile’ dhe ‘Brigada e veriut’ së pari kanë qenë shumë aktive në frikësimin e serbëve dhe kandidatëve serbë që donin të votonin dhe kandidonin në zgjedhje. Dhe e dyta në sulmin ndaj policisë sonë, gazetarëve, por në radhë të parë ndaj ushtarëve të NATO-s më 29 maj... Unë kam ofruar zgjedhje të parakohshme në katër komunat e veriut sa më shpejt të jetë e mundur, ne duhet të kemi një shtet ligjor. Pra, ne kemi një fushatë të drejtë dhe të hapur përpara zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, ka thënë Kurti deri sa ka shtuar se ajo që po bën Qeveria në veri është sundim i ligjit.

I pari i Qeverisë ka thënë se kurrë nuk e fajëson popullatën serbe për shkak të organizatabe specifike që Beogradi i kontrollon.

“Unë kurrë nuk e fajësoj popullatën minoritare serbe. Ata janë 4 për qind popullatë në Kosovë, por fajin ua kam vënë organizatave specifike dhe Beogradit që i kontrollon”, ëhstë shprehur ai.

Ai është shprehur i gatshëm që të takohet me presidentin Vuçiq, teksa përmend edhe takimin e fundit në Bruksel, ku ky i fundit kishte refuzuar të takohet me kreun e ekzekutivit kosovar.

“Sigurisht që isha në Bruksel, më 22 qershor, por ishte presidenti Vuçiq ai që nuk u takua. Konstruktiviteti dhe krijimtaria ime ka qenë e mbushur me propozime të ndryshme. Për shembull, unë propozova modelin i cili është frymëzuar nga serbët në Kroaci. Serbët në Kroaci kanë një marrëveshje normalizuese me mekanizmin për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe serbët ishin të kënaqur me këtë, thashë ta bëjmë, por ata nuk dëgjojnë”, tha ai.

Kurti ka theksuar se Kosova është një vend demokratik kurse Serbia sipas tij është një regjim hibrid më tepër autokratik.

“Vuçiq më sulmon çdo ditë, ndonjëherë disa herë në ditë, por Kosova është një vend demokratik, me orientim properëndimor, sipas Transparency International, për Freedom House, Kosova është një vend demokratik ndërsa Serbia është një regjim hibrid më tepër autokratik, kështu që ne jemi pro BE-së, pro NATO-s dhe pro SHBA-së. Serbia është shumë e lidhur me Kremlinin”, tha Kurti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024