Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar një takim me mërgatën shqiptare në Cyrih të Zvicrës, ku i pranishëm ishte edhe lideri i kësaj partie, Albin Kurti.
Kurti para të pranishmëve foli për zhvillimin ekonomik dhe sistemin e drejtësisë në Kosovë, derisa premtoi themelimin e një banke zhvillimore.
Ai tha se partneri kryesor tregtar i Kosovës në rajon tashmë është Shqipëria dhe jo Serbia, siç ishte sipas tij në qeveritë e kaluara.
“Partneri kryesor i Kosovës nga qeveritë e kaluara në rajon ishte Serbia. Tash, me qeverinë tonë, partneri kryesor tregtar në rajon është Shqipëria, ndërsa në përgjithësi është Bashkimi Evropian, e në veçanti Gjermania. Por, kjo rritje ekonomike e ka të domosdoshme drejtësinë, pra jo vetëm shpërndarje e rishpërndarje, por edhe drejtësi. Drejtësinë ende nuk e kemi të drejtë. Drejtësinë në Kosovë akoma e kemi të shtrembër. E në mandatin e ardhshëm duhet ta drejtojmë drejtësinë dhe ta vendosim në binarë... dhe drejtësia duhet të vlejë për të gjithë”, tha Kurti.“Ne kemi respekt për të gjithë ata që sakrifikuan e kontribuuan për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, mirëpo çfarëdo kontributi që ka bërë cili do prej nesh nuk është leje për korrupsion e për pasurim. Prandaj, ne themi në çdo tubim, nuk ka edhe patriot edhe hajn - ose patriot, ose hajn. Nuk ka edhe çlirimtar, edhe zullumqar. Ose çlirimtar, ose zullumqar. E ne jemi bashkë me juve për patriotët e çlirimtar e kundër hajnave e zullumqarë”, deklaroi ai, transmeton KosovaPress.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, salla shihet e mbushur me flamuj kombëtarë dhe brohoritje për Kurtin dhe subjektin që ai drejton.