Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka konfirmuar se nesër do të udhëtojë për në Bruksel për takimin e radhës të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se atje do të insistojë për lirimin urgjent dhe pa kushte të tre policëve të rrëmbyer nga Serbia.
Ndërsa, i dërguar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, nuk pret që takimi në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, të ndodhë këtë javë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar ka thënë se shpresojnë për një takim të nivelit të lartë në një të ardhme të afërt.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.
Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.
Ndërsa forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët po vazhdon t’i mbajë në Serbi.