Kurti në Tiranë: Të vendosur për zbatimin e planit evropian, në bashkëpunim me BE dhe SHBA
Lexohet për: 4 min.
336644115_1164739540893524_7036956131331090281_n
1 vit më parë
Linku u kopjua

(I plotësuar) Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla priti sot në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Pasi i uroi mirëseardhjen në Kuvendin e Shqipërisë, Nikolla, siç u bë e ditur, e përgëzoi Kurti për punët e mira që po bën Qeveria e Kosovës si edhe durimin, qetësinë, maturinë dhe qëndrimet  e guximshme në bashkëpunimin me BE dhe ShBA për të ardhmen evro-atlantike të Kosovës.

“Kuvendi nxit e mbështet bashkëpunimin e shkëlqyer midis Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha fushat dhe mbështesim vendimet e Qeverisë së Kosovës, si vendime të një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe të një shteti sovran dhe të pavarur. Bashkëpunimi intensiv mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës është në ditët më të mira. Ne mbështesim perspektivën evro-atlantike të Kosovës dhe vijojmë të lobojmë për njohjet e reja ndërkombëtare, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, OKB dhe organizatat ndërkombëtare. Mbështesim dialogun midis Kosovës dhe Serbisë  si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjelltë mes dy vendeve, vlerësojmë Planin Evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe SHBA-së në zbatimin e aneksit të këtij Plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike.”, u shpreh Nikolla.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti falënderoi kryeparlamentaren Nikolla për mbështetjen institucionale të bashkëpunimit dypalësh, si kryetare.

Kurti vuri në dukje progresin e dukshëm në zhvillimin ekonomik, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe të procesit të integrimit evropian të Kosovës dhe nënvizoi se ekonomia, demokracia dhe integrimi po ecin në mënyrë komplementare, duke respektuar njëkohësisht të drejtat e njeriut dhe të pakicave. 

Po ashtu, Kurti theksoi vendosmërinë e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për avancimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e Planit Evropian, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 Gjatë bisedës, u theksua intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet dy kuvendeve, bashkëpunimi i deputetëve në forume dhe organizata ndërkombëtare, dhe ai ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e integrimit evropian, krahas marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy vendeve tona.

Kurti e falënderoi kryekuvendaren Nikolla për mikpritjen e ngrohtë. E njoftoi atë me rezultatet e qeverisjes së deritanishme, që javën e kaluar mbushi dy vjet, për indikatorët ekonomikë, me theks te rritja e vazhdueshme e eksporteve dhe për raportet ndërkombëtare që dëshmojnë progresin në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, dhe reformat e ndërmarra.

Sipas një komunikate të Qeverisë, u veçua Raporti i BE-së për Vendin për vitin 2022, si më i miri ndonjëherë për Kosovën, e që konkludonte që Kosova nuk kishte asnjë fushë pa progres, dhe asnjë fushë me regres.

Në këtë takim të përbashkët, kryeministri Kurti e informoi kryetaren Nikolla për takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe për dakordimin e arritur për zbatimin e Marrëveshjes Bazë, të cilën Nikolla e cilësoi si hap të mirë përpara për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rrugëtimit evropian të Kosovës.

 Në takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga stafi i tij dhe nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024