Kandidati për kryeministër Albin Kurti tha se “altoparlantët e oligarkëve” po thonë se Vetëvendosja nuk po e mbështet biznesin. Ai i ka quajtur të kufizuar me dije ata që besojnë se bizneset nuk “ja kanë parë hairin rritjes së qëndrueshme”. Kreu i LVV-së, Albin Kurti tha se më 9 shkurt “do të verbohen kriminelët dhe armiqtë.”
Para simpatizantëve në tubimin në Prizren, Kurti tha se gjatë mandatit katërvjeçar është mbështetur, shoqëria, sektori privat dhe ndërmarrjet publike.
“Punoni shumë, ditë e natë, natë e ditë, sepse erdhi dita që të shohim shumë dritë. E shumë dritë që ndriçon të ardhmen për popullin dhe miqtë dhe shumë dritë që verbon kriminelët dhe armiqtë. E që na vjen e që na sjell te 500 mijë zemra që do të rrahin, por si një të dielën e 9 shkurtit me pulsin 118, me pulsin e atyre që ecin shpejt e punojnë shumë”, deklaroi ai.
Sipas Kurtit, që nga paslufta Prizreni asnjëherë nuk ka qenë më i përfaqësuar në nivelin qendror se sa në katër vitet e qeverisjes së tij. Ai premtoi se në spitalin e këtij qyteti do të vazhdojnë investimet, për çka tha se do të jetë model për Kosovën.Kandidati për deputet, Hajrulla Çeku tha se po mbrohet trashëgimia kulturore në Prizren, meqë sipas tij ky qytet “po bëhet gati për UNESCO”. Gjithashtu, ai tha se po bëhen investime në sport, sepse do të jetë mikpritës i Lojërave Mesdhetare.
Kujtojmë, fushata për zgjedhjet e 9 shkurtit ka nisur më 11 janar me intensivitet të lartë në mesin e akuzave dhe kundërakuzave ndërmjet partisë në pushtet Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare.