Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia vepron si “proxy” i Rusisë, duke theksuar se rreth kufirit të Kosovës ndodhen 48 baza të përparme operacionale.
Gjatë fjalimit në Konferencën e Londrës për Mbrojtje, ai tha se këto baza janë të vendosura brenda asaj që quhet zona e sigurisë e NATO-s, ndërsa sipas tij, ndikimi rus në Serbi është i drejtpërdrejtë.
Duke folur për luftën hibride, kryeministri theksoi se ajo nuk e zëvendëson luftën klasike, por shërben si fazë përgatitore për të, duke shtuar se kjo formë e konfliktit tashmë është bërë normë globale, madje sipas tij, sot është lajm kur nuk ka ndërhyrje hibride në procese zgjedhore.
Ai nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të qëndrueshmërisë dhe adaptueshmërisë ndaj këtyre sfidave, duke përmendur edhe ndikimet që ato kanë në Ballkanin Perëndimor.Duke folur për zhvillimet në Evropë, ai u ndal edhe te lufta në Ukrainë, duke e cilësuar atë si një mundësi për bashkim më të madh të kontinentit.
Sipas tij, nëse Bashkimi Evropian arrin të menaxhojë sfidat e kësaj dekade, dekada e ardhshme mund të jetë dekada e BE-së, me një rol të rëndësishëm të NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara.