Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në edicionin e 26-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI në Samos të Greqisë, potencoi se bota ndodhet përballë tri sfidave globale të një niveli të paprecedent sikurse janë ndryshimet klimatike, pabarazia shoqërore dhe kërcënimet e sigurisë.
Duke vënë theksin te pabarazia shoqërore, ai iu referua një studimi të vitit 2023 nga organizata ndërkombëtare Oxfam sipas së cilës top një përqindëshi i më të pasurve posedon 45.6% të pasurisë globale dhe 59% të të gjitha aseteve financiare në botë.
"Për aq kohë sa një për qind e më të pasurve zotërojnë gjysmën e pasurisë globale, kam drojë që nuk do të ketë paqe të vërtetë ndërmjet shoqërive dhe njerëzve dhe as me natyrën e planetit tonë", tha kryeministri Kurti.
Ai foli për rëndësinë e konkretizimit të ideve të mëdha të lirisë, barazisë, demokracisë dhe drejtësisë, si dhe nevojën për të fituar zgjedhje demokratike në mënyrë që të ketë qeverisje demokratike.
Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje për fitore më të shumta demokratike dhe qeverisje më të gjata të progresistëve e socialdemokratëve, “duke mos harruar që demokratët ndihen të kërcënuar nga lufta, ndërsa autokratët nga paqja.”
"Paqja që na duhet është një paqe demokratike dhe demokracia që na duhet është socialdemokracia", përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.