Kryeministri Albin Kurti është takuar sot në Bruksel me drejtorin e përgjithshëm për Zgjerim Gert Jan Koopman, me të cilin diskutoi mbi procesin e integrimit të Kosovës në BE, përfshirë perspektivën për avancimin e kandidaturës për anëtarësim në kontekstin aktual evropian.
Në takim u trajtuan edhe çështje tjera të ndërlidhura me procesin e zgjerimit të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mes të cilave edhe për nevojën e funksionalizimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, mbi parimet e pjesëmarrjes së barabartë për të gjitha shtetet e rajonit.
Ai theksoi se për Kosovën pengesat aktuale në progresin e saj kanë të bëjnë me situatën e sigurisë dhe kërcënimin e vazhdueshëm që vjen nga Serbia, dhe të cilin tha se Kosova kërkon ta adresojë në bashkëpunim me partnerët perëndimorë, pikërisht për shkak të lidhjeve shumta dhe të ngushta të Serbisë me Rusinë.
Duke folur për procesin e dialogut Kosovë-Serbi që është proces i ndarë, por që ka ndikim në zgjerimin e BE-së, Kurti tha se Kosova vazhdimisht ka qenë palë konstruktive dhe se e ka në interes përmbylljen e këtij procesi.Në takim, po ashtu, u diskutua edhe fillimi i zbatimit të Planit të Rritjes, si instrument i Komisionit Evropian i krijuar për t'i dhënë shtysë të madhe afrimit sa më të shpejtë dhe përmbajtjesor të vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
Ndërsa, Koopman porositi se përkushtimi i institucioneve evropiane në Bruksel për integrimin e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në BE është i fortë dhe do të vazhdojë të jetë i tillë edhe me përbërjen e ardhshme të Komisionit Evropian.