Kryeministri Albin Kurti mori sot pjesë në konferencën e nivelit të lartë të Partisë së Socialistëve Evropianë (PES) në Berlin, në kuadër të zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit. Lëvizja Vetëvendosje në një postim në Facebook ka cituar kreun e saj të ketë deklaruar se vetëm së bashku demokracia mund të mbrohet përballë autokracisë në rritje. “Qëndrojmë bashkë e të mobilizuar në mbrojtje të demokracisë, barazisë, solidaritetit dhe prosperitetit, përballë autokracive që kanosin mirëqenien, të drejtat e njeriut dhe sigurinë e kontinentit tonë. Kjo konferencë, e mbajtur sot në Berlin, theksoi premtimin që Partia e Socialistëve Evropian do të jetë një zë i besueshëm dhe i fuqishëm kundër ekstremizmit të djathtë dhe për ruajtjen e demokracisë. Nuk do të ketë pra as bashkëpunim e as koalicione me të djathtën ekstreme në Parlamentin Evropian”, tha Kurti. Ndryshe, në nëntor 2023, Lëvizja Vetëvendosje u bë anëtare e organizatës më të madhe socialdemokrate në Evropë.