Kurti në 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Familja Jashari, simbol i unitetit dhe vendosmërisë shqiptare
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Kurti në 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së: Familja Jashari, simbol i unitetit dhe vendosmërisë shqiptare
05/03/2026 - 09:30
Linku u kopjua

Qeveria e Kosovës u mblodh të enjten për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në mbledhjen solemne, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Epopenë e UÇK-së e konsideron si ngjarjen më të rëndësishme të historisë bashkëkohore të Kosovës dhe një moment vendimtar në vetëdijen kombëtare dhe bashkimin drejt lirisë dhe pavarësisë, raporton KosovaPress.

Kurti theksoi se marsi i vitit 1998 shënon një kthesë historike, duke përmendur rezistencën e familjes Jashari në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars të atij viti.

“Sot shënojmë përvjetorin e ngjarjes më të rëndësishme të historisë sonë bashkëkohore, Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo përfaqëson një kthesë vendimtare në vetëdijen tonë kombëtare dhe bashkimin tonë popullor drejt lirisë dhe pavarësisë. Historia e shteteve ndërtohet mbi ngjarje që i hapin shteg të ardhmes.  Marsi i vitit 1998 është një ngjarje e atillë. Në Prekaz me 5, 6 dhe 7 mars 1998 ndodhi një përballje aq e pabarabartë, por me domethënie kaq të jashtëzakonshme. Në analet e historisë së Evropës nuk mund të gjendet një rast i vetëm kur për 3 ditë e 3 natë rresht i bënë rezistencë një familje liridashëse autoktone, një shteti policor e okupator. Ani se familja Jashari ishte rrethar shumëfish nga mijëra forca të armatosura të pajisura me makineri të rëndë dhe mejte ushtarake moderne të kohës, ata luftuan e qëndruan deri në fund duke dhënë jetën e tyre për lirinë e të gjithë neve. Për këtë familje kishte kuptim vetëm një gjë, liria, sepse asgjë nuk është e vlefshme sikur ajo”, është shprehur Kurti.

Ai ka thënë se, kullat e familjes Jashari u shndërruan në fortesë, ndërsa familja u bë simbol i unitetit dhe vendosmërisë shqiptare.

“Me 5 mars 1998 të rinjtë e familjes morën pozicionin e tyre me guxim. Gratë dhe vajzat furnizonin me municion pa ndërprerje, ishte një qëndresë e vetëdijshme dhe e përbashkët. Kullat e tyre u shndërruan në fortesë, familja në simbol të unitetit dhe vendosmërisë shqiptare, ndërsa Prekazi në kryeqendër të kryengritjes popullore. Pas atyre tre dite, lufta në Kosovë mori tjetër karakter, u rrit mobilizimi njerëzor, dhe çështja e Kosovës mori vëmendje të madhe ndërkombëtare. Siç kishte thënë pas kësaj beteje baca Rifat Jashari, ‘humba 56 anëtarë të familjes, por fitova zemrat e 7 milionë shqiptarëve’. Gjersa përkujtojmë Epopenë, reflektojmë për përgjegjësinë që kemi ndaj flijimit të tyre. Historia e familjes Jashari duhet të trajtohet jo vetëm në aspektin historik, por, edhe në atë multidisiplinar, për të bërë studime të thella dhe për të siguruar e edukuar se si është krijuar ky thesar kombëtar i yni. Si qeveri po punojmë që kjo histori, trashëgimi dhe vlerë e jonë kombëtare, të dokumentohet, të ruhet, dhe të përcillet të brezat e ardhshëm si në Kosovë ashtu edhe në mërgatë”, ka thënë Kurti.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026