Kurti ndau shpërblime për sukseset e nxënësve në gara të matematikës e fizikës
Lexohet për: 3 min.
ZKP ZKM 19 10 2022 (1)
2 vite më parë
Linku u kopjua

Sot jam shumë i gëzuar që ju si matematikanë dhe fizikanë të rinj keni fituar vendet e para, të dyta dhe të treta, siç keni fituar medalje të artë, argjendtë e të bronztë, e shpërblime të tjera në gara vendore e ndërkombëtare, tha kryeministri Albin Kurti në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve për nxënësit e shkollave të Kosovës.

Ai tha se shpreson që këto shpërblime të jenë nxitje shtesë për nxënësit që të vazhdojnë të ndjekin prirjet dhe pasionet e tyre, dhe që mësimet shkollore dhe dijet e marra t’i përkthejnë pastaj në shpikje të vyera, inovacione kreative dhe metoda funksionale, kudo që do të punojnë në të ardhmen.

“Kur unë kam qenë student në universitet, mbaj mend, që një problem të ngjashëm matematikor e patëm zgjidhur dhe ai ka qenë diçka kësisoj: Sa veta duhet të jenë minimalisht në një sallë, në mënyrë që gjasat, që së paku dy prej tyre ta kenë datëlindjen e njëjtë, të jenë mbi 50 për qind? Dhe, nëse nuk gaboj, rezultati është 23, por siç e dini ju që zgjidhni probleme matematikore, duhen 3-4 faqe, për të arritur te ky numri përfundimtar. Edhe në Greqinë antike, pra kur Platoni e ka themeluar Akademinë në Athinë, mbi hyrjen e ndërtesës ka shkruar: “Le të mos hyjë këtu ai që nuk e di gjeometrinë”. Kjo akademi pastaj i dha botës atë që njihet si Babai i Logjikës, Aristotelin, i cili me kategoritë e tij filozofike, e sidomos me kauzalitetin, Ligjin e Shkakësisë, ndikoi aq shumë në këdo që erdhi pas tij në fushën e filozofisë apo të shkencave”, ka thënë Kurti.

Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kryeministri Kurti së bashku me ministren Arbërie Nagavci, ndanë shpërblime për sukseset e treguara të nxënësve në gara të matematikës dhe të fizikës, përfshirë Olimpiadën Kombëtare të Matematikës, Garat Republikane të Fizikanëve të Rinj, Olimpiadën e Matematikës Kosovë – Shqipëri, Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare, Math Kangaroo dhe Kupën Matematike Evropiane.

Ndryshe, Qeveria ka ndarë 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1 mijë kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit.

Në vitin akademik 2021/2022 janë ndarë 1365 bursa universitare për studentet në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, apo siç njihet ndryshe STEM.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024