Kryeministri Albin Kurti mori sot pjesë në tryezën e rrumbullakët me të rinjtë e komunitetit rom.
Në këtë tryezë të organizuar nga Zyra për Çështje të Komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit u diskutuan sfidat, mundësitë e komunitetit rom, prioritetet për 2024 dhe çështja e punësimit për të cilën është krijuar platforma për praktikë me pagesë përmes “Kosovo Generation Unlimited”, e cila synon që 15% e praktikantëve të jenë nga komunitetet jo shumicë në Kosovë.
Nga grantet e Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, 146 familje rome kanë përfituar teknikë të bardhë, mobilie, pako higjienike e ushqimore, dhe mbështetje për biznese, si dhe për përdorimin e gjuhës rome është mundësuar që Strategjia dhe Plani i Veprimit për Rini të përkthehet edhe në gjuhën rome, ashtu që të arrihet konsultimi i plotë me të rinjtë e Kosovës.
Gjithashtu janë ndarë bursa për 500 nxënës të këtyre komuniteteve në shkollat e mesme, ndërsa për studentët në universitete publike 55 bursa.
“Duam që të sigurohemi me këtë rast, që të drejtat e garantuara me Kushtetutë, t'i gëzojmë edhe siç ju takon, si në nivelin lokal edhe në atë qendror, të gjitha komunitetet, e jemi të përkushtuar që komuniteti rom të jetë i përfshirë në procesin e regjistrimit deri në maksimum”, përfundoi kryeministri Kurti.
Në përfundim, ai u shpreh se edhe përkundër sfidave dhe vështirësive që hasin ky komunitet, ato do t’i përballojnë së bashku.