Në ditën kur qeveria e tij mbushi tri vjet nga ardhja në detyrë, kryeministri Albin Kurti i ka thurur lavde punës së kabinetit të tij qeverisës. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se punësimi është më i lartë se çka qenë ndonjëherë dhe se ka dyfish më shumë të rinj të punësuar sesa para tri vjetësh. “Afër 10 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna. Mbi 12 mijë gra janë punësuar përmes masave dhe mbështetjes sonë direkte. Eksportet dhe Investimet e Huaja Direkte janë dyfishuar”, ka shkruar Kurti.
Në tri vjet qeverisje, Kurti thotë se kanë rishpërndarë rreth 1.2 miliard euro te qytetarët dhe bizneset përmes masave të shumta, pa krijuar borxhe të reja, duke krijuar pakon më të madhe mbështetëse në rajonin e Ballkanit për qytetarë në ballafaqim me inflacionin dhe krizën energjetike, si përqindje e Bruto Produktit Vendor sipas Raportit të Bankës Botërore. Teksa shpenzimet kapitale në vitin e kaluar shënuan vlerë rekord prej 555 milionë euro të ekzekutuara, sipas kryeministrit Kurti thotë se borxhi publik është në nivelin më të ulët në Evropë.