Sot u bënë gjashtë vite nga vdekja e Adem Demaçit, busullës së lirisë për popullin dhe shoqërinë e Kosovës.
Kwshtu e ka kujtuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti shuarjen e tij.
Sipas Kurtit te personaliteti njerëzor dhe figura historike e Adem Demaçit, përbashkohen të gjitha gjeneratat e aktivistëve politikë dhe patriotëve shqiptarë, që nga ata të demonstratave të ’68-ës dhe të ’81-shit, te luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe deri te brezi i shtetndërtimit demokratik të Republikës së pavarur të Kosovës.
“Vepra e shkruar dhe e jetuar e Adem Demaçit, nisur nga historia e aktivizmit të tij politik dhe e burgjeve, rezistenca e tij plot guxim, angazhimi i tij me këmbëngulje dhe vetëmohim, mendimi i tij politik i artikuluar publikisht në panumër tubime, shkrime dhe intervista, gjithçka që ai ka thënë dhe ka bërë dhe gjithçka që ai ka refuzuar të bëjë dhe mbështes, janë një kapitull më vete në historinë moderne të mendimit politik shqiptar dhe të politikbërjes përparimtare në Kosovë. Vepra dhe jeta e Adem Demaçit ishin një, sepse Baci Adem e shkroi në vepër jetën e tij dhe e jetoi veprën e tij të shkruar, në burg a në liri, në libra a në organizime, kudo dhe kurdo, çdo ditë, deri në frymën e fundit. Lavdi e përhershme Adem Demaçit, mes nderimesh dhe kujtimesh për të, duke e rikthyer vëmendjen kah vepra dhe jeta e tij”, përfundoi Kurti.