Kurti: Kosova meriton anëtarësimin në KiE, i ka plotësuar të gjitha kriteret
Lexohet për: 2 min.
danezett
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka pritur të mërkurën anëtarë nga delegacioni danez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me të cilët ka biseduar lidhur me anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Kryeministri Albin Kurti u shpreh mirënjohes ndaj delegacionit danez dhe angazhimin e tyre aktiv në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në avokimin në përkrahje të Republikës së Kosovës, të cilat pasqyrojnë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe ndarjen e vlerave të përbashkëta.

Kurti ka rikujtuar votën pro në shumicë të përfaqësuesve nga Danimarka (4 nga 5) por edhe në total të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës – me 82 për qind të votave në favor – në prill të këtij viti, duke rekomanduar që Komiteti i Ministrave të ftojë Kosovën që të bëhet anëtare e plotë e organizatës.

“Demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut janë tri shtyllat kryesore të Këshillit të Evropës në të cilat Kosova ka bërë progres të madh në rajon dhe ka një kornizë ligjore të avancuar me të drejta të zgjeruara për komunitetet pakicë”, citohet Albin Kurti në komunikatë.

Ai e njoftoi delegacionin me progresin në avancimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik dhe theksoi se nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të përfitojnë të gjithë qytetarët, sidomos komunitetet jo shumicë të cilat përfitojnë nga qasja në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strazburg. Nënvizoi suksesin e Kosovës në demokraci dhe socio-ekonomi përkundër përpjekjeve destabilizuese e agresive të Serbisë pro-ruse.

Kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës meriton anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës, pasiqë i ka përmbushur plotësisht standardet, kriteret, kushtet dhe parakushtet e nevojshme për anëtarësim të plotë në këtë organizatë.

 Kryeministri foli edhe për raportet shumë të mira bilaterale mes Kosovës dhe Danimarkës dhe i falënderoi deputetët për kontributin e vazhdueshëm të Danimarkës në çlirim dhe zhvillim të Kosovës, duke theksuar orientimin e qartë të Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025