Solidariteti i Kosovës ndaj Ukrainës është veçanërisht i dukshëm edhe pse Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet sovran. Megjithatë, populli i Kosovës ka treguar ndjeshmëri të thellë për vuajtjet e ukrainasve dhe u kanë qëndruar pranë në këto ditë të vështira.
Kështu ka thënë ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde në pritjen që ambasadat e QUINT-it dhe Zyra e BE-së organizuan për nder të Ditës Kombëtare të Ukrainës.
Ambasadori Rohde në emër të ambasadorëve të QUINT-it dhe Zyra e BE-së, tha se janë mbledhur jo vetëm për të festuar Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, por për të nderuar shpirtin e dashur që kombi ukrainas ka treguar në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë.
Ai shtoi se kjo është Dita e tretë e Pavarësisë që festohet nën hijen e pushtimit brutal dhe të paprovokuar të Rusisë.
Ajo shtoi se duke qenë se ukrainasit janë një popull i guximshëm dhe i qëndrueshëm, ata po vazhdojnë të luftojnë për lirinë dhe integritetin e tyre territorial.
E derisa kujtoi se sa të lumtur ishin para luftës, shtoi se tash në vendin e saj, askush nuk mund të ndihet i sigurt.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se një nga format e para të ndihmës që Kosova i ofroi Ukrainës ishte programi i strehimit të gazetarëve, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite, e ku përmes kësaj iniciative Kosova i ka dhënë 18 gazetarëve ukrainas statusin e mbrojtjes së përkohshme, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë punën e tyre. Sipas tij, 12 prej tyre ende jetojnë dhe punojnë në vendin tonë duke formuar një pjesë integrale të peizazhit tonë të gjallë dhe të larmishëm mediatik, në të vërtetë sigurimi i hapësirës së sigurt dhe mikpritëse për gazetarët është një nga arritjet më krenare të qeverisë në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së medias.
Ai tha përveç mbështetjes sonë për gazetarët ukrainas, Kosova ka hequr përkohësisht regjimin e vizave për qytetarët ukrainas në përgjithësi dhe ka hedhur bazat për strehimin e deri në 5000 refugjatëve nga konflikti.
Sipas tij, Rusia ishte gjithmonë anti-perëndimore, përgjithësisht jo-evropiane, dhe tani është bërë anti-evropiane, prandaj, lufta çlirimtare në Ukrainë është luftë evropiane në Evropë për Evropën, dhe solidariteti ynë është detyra jonë që i përkasim kontinentit evropian.
Pritja e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës përfshiu gjithashtu ekspozitën me fotografi nga Ukraina.