Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është e interesuar të zbatohet në tërësi marrëveshja me Serbinë dhe jo vetëm neni shtatë i saj. Një ditë pas takimit të kryenegociatorëve të dialogut në Bruksel, Kurti theksoi se formimi i Asociacionit është pjesë e marrëveshjes me Serbinë, por nuk është vet marrëveshja, duke shtuar se duan një plan të zbatimit, i cili është i hollësishëm, konkret, i balancuar dhe gjithëpërfshirës.
Ndërkaq, Kurti tha se ende janë në pritje të qëndrimit të Bashkimit Evropian sa i përket denoncimit të bërë nga pala kosovare për shkeljet e marrëveshjes që i ka bërë Serbia.
Ndërkaq, ai kërkoi nga Bashkimi Evropian që të hiqet referimi i Kosovës me asterisk (fusnotë), pas marrëveshjes me Serbinë, e cila tha se është bërë pjesë e konkluzioneve të Këshillit Evropian.
I pyetur për modelin e Tirolit Jugor për Asociacionin në Kosovë, Kurti tha se ka modele të shumta që po fliten, por derisa Serbia nuk e pranon pavarësinë e Kosovës dhe refuzon t’i pranojë krimet nga e kaluara nuk mund të flitet për solucione të tilla.