Dita e Bashkimit Evropian Kundër Trafikimit, na shërben jo vetëm të kujtojmë e të nderojmë viktimat e trafikimit, por më shumë të kujtojmë e të zotohemi, bashkë të gjithë, për nevojën për ta çrrënjosur këtë formë të krimit anë e mbanë, tha kryeministri Albin Kurti, në shënim të kësaj dite.
Ai theksoi se Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me të gjithë, duhet punuar për të përmirësuar gjendjen, veçanërisht në lidhje me identifikimin pro-aktiv të viktimave, duke siguruar ndihmë e mbështetje, si dhe duke rritur ndjekjen dhe dënimin meritor të autorëve të krimit.
Ai shtoi se si numra mund të mos duken shumë, por pas këtyre numrave kemi emra e mbiemra, kryesisht fëmijë, vajza e djem të ri.
Kryeministri Kurti theksoi se luftimi i këtij krimi është urgjent dhe i domosdoshëm dhe se institucionet duhet të jenë të pa kompromis në luftimin e kësaj dukurie.
Kryeministri vlerësoi angazhimin e Policisë së Kosovës në identifikimin e grupeve kriminale për hetimin e trafikimit me qenie njerëzore, që ka shënuar progres. Që nga viti 2021 e deri më sot, për veprat penale të kësaj natyre (trafikim, mundësim dhe marrje me prostitucion etj.), janë arrestuar 353 persona të dyshuar dhe janë ngritur 128 kallëzime penale ndaj 257 personave të përfshirë. Kurse për periudhën e njëjtë, vetëm për trafikim me njerëz, janë arrestuar 68 persona, janë ngritur 31 kallëzime penale ndaj 80 personave të përfshirë.
Në shënim të kësaj dite, Ministria e Punëve të Brendshme lansoi fushatën kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore.