Kurti: Idealet politike të Lidhjes së Prizrenit frymëzim drejt forcimit të shqiptarëve
Lexohet për: 3 min.
10.6.2024 ZKM (5)
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Lidhja Shqiptare e Prizrenit paraqet gurthemelin e përpjekjeve shqiptare për pavarësi, e cila u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe shpalljen e Pavarësinë e Kosovës, duke e realizuar kësisoj një pjesë të programit të Lidhjes, që nuk u arrit të plotësohet në vitin 1912.

Kështu tha kryeministri Albin Kurti, me rastin e 146-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit që këtë vit mbahet në kuadër të agjendës shtetërore për 25-vjetorin e çlirimit të vendit.

Kurti tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit, një organizatë politike dhe ushtarake mbarë-shqiptare, përcaktoi parimet themelore për një jetë të organizuar kolektive e politike në epokën moderne.

“Kjo është hera e parë në histori kur shqiptarët po flisnin me një zë, pa dallim krahine e feje, duke shprehur kërkesën themelore dhe universale për vetëvendosje dhe për ruajtjen nga copëtimi i territoreve të banuara me shqiptarë", u shpreh kryeministri Kurti.

Ai po ashtu solli në kujtesë faktin që me 27 mars 1999, forcat ushtarake serbe me eksplozivë rrënuan dhe dogjën ndërtesën e Lidhjes së Prizrenit, duke i rrënuar edhe shtatoret e Abdyl Frashërit dhe të Ymer Prizrenit, në përpjekje për të zhdukur gjurmët e historisë shqiptare.

Gjatë agresionit të Serbisë shkurt 1998 - qershor 1999 janë shkatërruar së paku 1800 monumente të trashëgimisë kulturore, janë plaçkitur mbi 3000 objekte arkeologjike dhe etnografike, e dokumentacion arkivor, si dhe janë djegur mbi 1.7 milionë libra në bibliotekat publike. Ky veprim në bazë të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, është vlerësuar si krim kundër njerëzimit.

“E megjithatë, as shtypja mbi njëshekullore, plaçkitja, djegia e rrënimi, nuk kanë arritur të asgjësojnë besimin dhe luftën tonë për liri", theksoi kryeministri.

Kurti theksoi se idealet politike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë frymëzim në rrugëtimin e përbashkët të shqiptarëve drejt avancimit të interesave të përbashkëta e forcimit politik e ushtarak, ekonomik e kulturor të shteteve tona.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë të Kuvendit të Kosovës, drejtues e përfaqësues tjerë të institucioneve shtetërore e lokale, e përfaqësues politikë të Preshevës e Bujanocit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024