Në manifestimin qendror në shënim të 25-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit ngjarja e 24 marsit 1998 u konsiderua si betejë e cila dëshmoi guximin e familjes Haradinaj dhe vendosmërinë e popullit për çlirim dhe mposhtjen e pushtuesit serb.
Në këtë ditë kur po shënohet edhe 24-vjetori i ndërhyrjes së NATO-së në Kosovë, bombardimet që zgjatën 78 ditë u konsideruan si akt që i dha fund pushtimit serb.
Kurti tha se nga kulla Haradinaj Serbia mori mesazhin se nuk mposhtet UÇK-ja dhe Kosova.
Kryeministri Kurti u shpreh se familja Haradinaj ja din vlerën lirisë dhe ushtrisë, është familje e dëshmorëve të kombit dhe gjeneralëve, ndërsa po sot në FSK kanë Luan Haradinaj që me përkushtim i shërben atdheut.
Në këtë ditë kur po shënohet edhe 24 vjetori i bombardimeve të NATO-së shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti tha se ndërhyrja e NATO-së i dha fund pushtimit serb dhe qytetarëve të Kosovës iu dhanë shpresë.
Ndërsa, theksoi se fokusi i qeverisë së tij është forcimi i ushtrisë së Kosovës e cila po konsolidohet në aspektin profesional e operacional gjithmonë në shërbim të lirisë dhe sigurisë.
Ish komandanti i zonës së Dukagjinit u shpreh se Kosova e ka vendin në NATO e cila 1 vit pas betejës së Dukagjinit i ndihmoi fitores për liri të popullit të Kosovës.
Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se 24 marsi është dita që bënë krenar gjithë kombin.
Në emër të Shoqatave të dala nga lufta e zonës operative të Dukagjinit, dhe ish eprori i lartë i Brigadës 137 Gjakova, Hekuran Hoda tha se Epopeja e Dukagjinit shënon kthesë historike në luftën për liri dhe çlirim të vendit.
I pranishëm në këtë tubim për shënimin e 25 vjetorit të Epopesë së Dukagjinit ishte edhe kryetari i Lezhës, Pjerin Ndreu i cili tha se kjo ngjarje konfirmoi se shqiptarët nuk e kursyen gjakun për atdhe dhe liri.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ai Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi kanë bërë edhe homazhe tek kompleksi memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, ndërsa kanë vizituar edhe familjen Haradinaj.
Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale mes forcave të UÇK-së dhe atyre të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj. /B.Ibishi/