Kurti ekspozon emblemat e sekuestruara serbo-ruse në veri
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Kurti ekspozon emblemat e sekuestruara serbo-ruse në veri
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Albin Kurti ka ekspozuar emblemat ruse dhe serbe të strukturave të inteligjencës, ushtrisë dhe sigurisë që u kapën pas sulmit terrorist të 29 nëntorit në kanalin ujor të “Ibër-Lepencit”.

Ai ka thënë se ky zbulim dëshmon përfshirjen potenciale të grupeve ekstremiste dhe terroriste serbo-ruse me lidhje të forta në Serbi, që kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e një mjedisi të pasigurt në rajon.

“Stabiliteti dhe paqja në Ballkan kërkojnë një reagim të unifikuar dhe vendimtar kundër këtyre aksioneve terroriste dhe aktiviteteve destabilizuese që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme dhe vlerat demokratike në rajon”, ka shkruar Kurti.

Pas bastisjeve në veri, në lidhje me sulmin terrorist në Varagë të Zubin Potokut, Policia e Kosovës kishte konfiskuar sasi të konsiderueshme të armatimit, municionit, uniforma dhe pajisje të ndryshme. Në lidhje me rastin ka pasur edhe arrestime.

Menjëherë pas sulmit terrorist, kryeministri Kurti ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa organizimit të bandave kriminale serbe.

“Ata po dëshirojnë të shkaktohet panik edhe te ne me sulme të tilla. S’kanë çka t’i bëjnë ushtrisë, policisë së Kosovës dhe as Kosovës, por do të gjendet ndonjë njeri që do të hedhë ndonjë granatë”, kishte thënë ai.

Kurti ka ndërlidhur sulmet e fundit terroriste me ato të Federatës Ruse ndaj infrastrukturës kritike në Ukrainë. Pesha e pasojave të këtij sulmi, po të arrinte qëllimin e tij, do të shkaktonte për javë të tëra ndërprerje të prodhimit të energjisë nga TC Kosova B, duke lënë pa energji elektrike mbi gjysmën e popullatës së Kosovës dhe pa ngrohje 130 mijë qytetarë të Prishtinës.

Më tej, do të kishte ndërprerje të ujit në fabrikat Shkabaj, Drenas, Shipol, Balincë duke lënë pa ujë mbi 300 mijë qytetarë të Mitrovicës së Jugut, Skenderajt, Vushtrrisë, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Drenasit, Fushë Kosovës e Obiliqit, e duke rrezikuar furnizimin edhe për mbi 300 mijë të tjerë në Prishtinë dhe kësisoj do të rrezikoheshin shërbimet e tjera që varen nga rryma sikur telekomunikimet.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025