Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së parakalimit të trupave të FSK-së dhe të Policisë, deklaroi se në këtë 15-vjetor të pavarësisë, sot ritmi i ecjes sonë është i përcaktuar nga ritmi i hapave të këmbëve të ushtarëve dhe policëve të Kosovës.
Kryeministri u shpreh se është dashur shumë dhimbje, punë e sakrificë, që të “vijmë në këtë ditë, kur parakalojnë forcat tona të armatosura”.
Kryeministri u shpreh se vitin e kaluar, vendi i ka bërë edhe 820 ushtarë dhe 31 oficerë më shumë, kurse sivjet edhe 612 ushtarë të rregullt më shumë dhe 388 rezervistë më shumë. Ai tha se në vitin që lamë pas, buxheti për mbrojte është rritur për 52% më shumë e siç tha, sivjet edhe për 20% të tjerë.
Ndër të tjera, Kurti tha se liria është paradigma jonë e parë dhe e pakontestueshme.
Ai u shpreh se sa herë që festohet ditëlindja shtetit, nisemi nga kujtimet të përbashkëta për dëshmorët dhe për martirët, për paraardhësit tanë prej të cilëve e kemi trashëguar Kosovën dhe vetë jetën.
“Le të vazhdojmë bashkë përpara, sepse e kaluara e lavdishme e popullit tonë është krenaria e jonë e përbashkët sot. Por, ajo ka një peshë të pamatshme të rënduar ndër shekuj nga vlerat e paçmuara të dëshmorëve dhe heronjve që sakrifikuan gjithçka nga jeta e tyre deri në vdekje për lirinë tonë, për mbijetesën si trashëgimi, për vazhdimësinë si kolektiv, si dhe për mirëmbajtjen dhe kultivimin e popullit tonë si subjekt i historisë. Andaj, sa herë që festojmë ditëlindjen e shtetit tonë, gjithmonë nisemi nga kujtimet tona të përbashkëta për dëshmorët dhe për martirët, për paraardhësit tanë prej të cilëve e kemi trashëguar Kosovën dhe vetë jetën tonë, si dhe për secilën jetë njerëzore që ka derdhur djersë dhe gjak e që ka shkrirë mendje dhe trup për të mirën e përbashkët të këtij vendi dhe për ruajtjen e jetës e për jetesën e mirë në të.”, tha Kurti, duke uruar 15-vjetorin e shtetit.