Kurti: Do të kujdesem që autostrada e Gjilanit dhe stadiumi i qytetit të përfundojnë sa më parë
Zgjedhjet 2025
Lexohet për: 2 min.
Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur tubim elektoral në Gjilan prej ku kryetari i kësaj partie dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, shpalosi zotimet për katër vitet e ardhshme.
Kurti tha se qeveria e tij është për familjen dhe "jo për familje të ministrave apo të kryeministrit siç ka qenë dikur”.
“Do ta bëjmë autostradën e Gjilanit deri të Dheu i bardhë, sepse na duhet në mënyrë jetike, jo vetëm ekonomike, tregtare kulturore, lidhja me Luginën”, tha Kurti.
Ai, gjithashtu, tha se do ta përfundojnë Stadiumin e Gjilanit.
Për të dyja këto, Kurti tha se do të krijojë grup punues.
“Unë zotohem para juve sonte këtu që personalisht do ta krijoj një grup pune që të sigurohem që do të mbikëqyren në hollësi e deri në fund, që autostrada e Gjilanit dhe stadiumi i qytetit të përfundojnë sa më parë që është e mundur, dhe si është më së miri”, tha ai.
Kurti tha se mandati i ardhshëm është mandat i hekurudhave.
“Do ta nisim projektimin e linjës hekurudhore që lidhë Prizrenin e Ferizajn me Gjilanin e Bujanocin, nuk mjafton autostrada, duhet e do ta kemi edhe hekurudhën”, tha ai.