Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të intensifikojnë dialogun për zbatim të marrëveshjeve të 27 shkurtit në Bruksel dhe të 18 marsit në Ohër. Ai tha se ka nevojë për sekuencim të balancuar dhe fer të zbatimit të marrëveshjes bazike.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti deklaroi se Kosova i qëndron pas politikave dhe vlerave demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Por, sipas tij, rruga për shtensionim në veri, duhet të nisë me largimin e bandave kriminale nga atje.
Duke folur për gjendjen në veri, kryeministri, Kurti u shpreh se deri në zgjedhjet e hershme në komunat veriore, kryetarët e tanishëm duhet ta ushtrojnë detyrën nga zyret e tyre.
Kreu i ekzekutivit bëri thirrje po ashtu serbëve të marrin pjesë në zgjedhje.
Kryetari i LVV-së tha se dhuna në veri zgjati për dy ditë e gjysmë, derisa shtoi se dhuna në komunat veriore, zgjat për aq sa janë urdhrat e Beogradit.
Duke folur për kryetarët e komunave veriore, Kurti mes të qeshurave tregoi edhe një bisedë që kishte me kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin.
Ndërkaq, kryeministri Kurti paraqiti të arriturat që kanë bërë si parti.
Po ashtu, ai pati edhe një mesazh për rininë. Kurti tha se duhet punuar më shumë për të rritur përgatitjen profesionale, kulturore e politike.