Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë ftuar që “së shpejti” të shkojnë në Bruksel për t’u takuar në kuadër të dialogut që ndërmjetëson blloku evropian.
Ai nuk ka dhënë ndonjë datë, por ka thënë se takimi duhet të ndodhë “shumë, shumë shpejt” dhe se qëllimi i takimit është “për të gjetur një zgjidhje evropiane”.
Këto makina qarkullojnë kryesisht në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe kontrollohet në masë të madhe nga Beogradi zyrtar.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk ka dashur të komentojë raportimet e mediave në rajon se “tashmë është arritur një zgjidhje”, por vetëm ka thënë se “takimet mes zyrtarëve të BE-së dhe përfaqësuesve të palëve janë të vazhdueshme”.
Ai ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është në komunikim të vazhdueshëm me Brukselin për ta zgjidhur çështjen e targave.
Sipas tij, në ditët në vijim do të shihet nëse do të kenë sukses negociatat e reja.
Si pasojë e tensioneve të rritura, serbët e veriut i kanë braktisur institucionet e Kosovës.
Kurti ka thënë se Beogradi ka urdhëruar të gjithë serbët në veri të Kosovës që të japin dorëheqje, por ai edhe një herë ka bërë thirrje kundër një veprimi të tillë.
BE-ja dhe SHBA-ja i kanë kërkuar Kosovës që të shtyjë për dhjetë muaj zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me qëllim shmangien e tensioneve.
Qeveria e Kosovës, megjithatë, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor.
Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se 21 nëntori “nuk duhet të na gjejë pa marrëveshje për targat” dhe situatën aktuale të krijuar për targat e ka konsideruar si “krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit”.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./Rel