Në nderim të jetës dhe veprës së dëshmorëve Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, kryeministri i vendit, Albin Kurti bashkë me ministra dhe familjarë të dy familjeve, kanë bërë homazhe pranë varreve të heronjve në Velani.
Në 25-vjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit, Kurti deklaroi se pjesën kryesore dhe më të madhe të ecjes politike e kanë kryer dëshmorët, me ç'rast tha se për institucionet ka mbetur më pak punë e cila bëhet duke pasur si udhërrëfyes dëshmorët e martirët.
Ai shtoi se fal tyre populli i Kosovës e shijon lirinë.
"Sot Iliri dhe dr. Haziri i bënë bashkë familjet e tyre të ngushta, por na bënë bashkë edhe të gjithë neve dhe e bëjnë bashkë porsi një familje tejet të gjerë popullin shqiptar, sepse janë dëshmorët e kombit ata të cilëve asnjëherë nuk mund t'ua lajmë borxhin e ta kryem obligimin përderisa ne jemi gjallë", tha mes tjerash Kurti.
Vrasja e Ilirit shkaktoi një humbje të madhe për tërë vendin e në veçanti për UÇK-në dhe shtabin e saj qendror.
Ilir Konushevci në radhët e UÇK-së shkroi rreshta të pashlyer në historinë tonë kombëtare, ishte ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në.