Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Kampit veror ndërkombëtar 2022. Edu Kamp 2022, organizohet nga shoqata gjermane Education Unlimited bashkë financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës dhe ndihmuar nga gjimnazi Loyola.
Ky kamp veror, për 83 të rinj nga 5 vende të ndryshme, është mundësuar sepse të gjithë ne që jemi sot këtu, e njohim dhe e çmojmë vlerën e një shoqërie të arsimuar mirë, tha Kryeministri Kurti. Ai theksoi se të gjithë besojmë se çdo njeri duhet t'i ketë të drejtat e njëjta, ndërsa Qeveria angazhohet me punë, që në shoqërinë tonë të gjithë t'i kenë edhe mundësitë e njëjta.
Janë ndarë 957 kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit; tekste shkollore në gjuhët e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vendin tonë; 150.000 euro për bursa për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian; 3.500.000 euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional. Për të mbyllur hendekun e shkathtësive, ka filluar pilotimi i arsimit dual në katër profile nga viti shkollor 2022/2023, për muratorë, floktarë, asistentë të hotelerisë dhe kuzhinier; Për herë të parë kemi ndarë buxhet për mësimdhënësit me probleme shëndetësore – 1.7 milionë euro, nga të cilat përfitojnë rreth 300 mësimdhënës.
Për herë të parë kemi filluar zbatimin e skemës për mësimdhënie të bazuar në hulumtim, si formë e nxitjes së punës shkencore-hulumtuese edhe në mësimdhënie në arsimin e lartë, tha kryeministrit Kurti.
Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti:
Ky është viti i dytë me radhë që kam kënaqësinë ta hapi kampin veror të organizuar nga shoqata gjermane Education Unlimited, e bashkë financuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Republikës së Kosovës. Ky kamp veror, këtë vit është ndihmuar nga gjimnazi Loyola, ku gjendemi sot, dhe ku do të mbahen të gjitha ligjëratat dhe punëtoritë.
Ky kamp veror është një mundësi e shkëlqyeshme për të njoftuar nxënës të rinj nga Shqipëria, Kosova, Gjermania, Franca dhe Maqedonia e Veriut, të zhvilloni respekt dhe mirëkuptim për njëri-tjetrin dhe për kulturat e ndryshme që sjellni këtu.
Të gjithë ju nxënëse dhe nxënës, që jeni sot këtu dhe do të qëndroni gjatë gjithë javës për një program të mrekullueshëm me ligjërues nga e gjithë Evropa, ju uroj shumë kënaqësi dhe momente të veçanta. Ditët në vijim, do të jenë ditë përplot informacione të reja, por edhe ditë ku do të lidheni edhe më shumë me njëri-tjetrin.
Ky kamp veror, për 83 të rinj nga 5 vende të ndryshme, është mundësuar sepse të gjithë ne që jemi sot këtu, e njohim dhe e çmojmë vlerën e një shoqërie të arsimuar mirë. Mbase mund të ketë këtu pjesëmarrës të rinj, të cilët nuk e njohin dhe aq historinë e Kosovës. Vendi ynë nuk është lejuar të zhvillojë mësimin në gjuhën shqipe gjatë viteve të ‘90-ta, nga regjimi shtypës i Serbisë. Por, ne kishim mësimdhënës të guximshëm, burra e gra, që rrezikuan jetën e tyre për edukimin e fëmijëve tanë. Pa këto mësime, të cilat mbaheshin fshehtë nëpër shtëpi-shkolla, nëpër bodrume të fshehta, Kosova nuk do të ishte ndër vendet e lira dhe demokratike që është sot, e që beson në vlera evropiane. Dikur arsimi ishte rezistencë e sot arsimi bëhet zhvillim.
Të dashur të rinj,
Jetojmë në një botë dhe kohë me përplot sfida, siç janë ndryshimet klimatike, polarizimi politik ekstrem dhe luftërat e pakuptimta, si agresioni rus në Ukrainë. Sfida që rëndojnë mbi supet tona e mbi të ardhmen tuaj.
Të dashur ligjërues, profesorë dhe mësimdhënës,
Të gjithë ne besojmë se çdo njeri duhet t'i ketë të drejtat e njëjta – por ne si Qeveri angazhohemi me punën tonë, që në shoqërinë tonë të gjithë t'i kenë edhe mundësitë e njëjta. Barazi në fillim të shtegut.
Për këtë synim kemi rritur buxhetin për arsim për 12%. Kemi bërë arsimin publik falas për nivelin baçelor dhe master. Kemi ndarë mbi 3.000 bursa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit. Për mbyllje të hendekut gjinor, kemi ndarë 1.365 bursa për vajzat dhe gratë studente të fushave STEM. 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe nxitjen e djemve për të ndjekur profile deficitare.
Për të mbyllur hendekun e shkathtësive, kemi filluar pilotimin e arsimit dual në katër profile nga viti shkollor 2022/2023, për muratorë, floktarë, asistentë të hotelerisë dhe kuzhinier; Për herë të parë kemi ndarë buxhet për mësimdhënësit me probleme shëndetësore – 1.7 milionë euro, nga të cilat përfitojnë rreth 300 mësimdhënës.
Për herë të parë kemi filluar zbatimin e skemës për mësimdhënie të bazuar në hulumtim, si formë e nxitjes së punës shkencore-hulumtuese edhe në mësimdhënie në arsimin e lartë.
Duke u uruar për organizimin e këtij kampi veror dhe duke ju dëshiruar mbarësi, po e përmbylli fjalimin tim sikurse vitin e kaluar, duke përsëritur edhe një herë: Dashuria juaj për dijen dhe shkencën do të thotë dashuri për njerëzimin dhe zhvillimin.
Ju falemnderit.