Kurti bën homazhe në Pejë: Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale
Lexohet për: 3 min.
Peje-270323
1 vit më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, dhe se Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen dhe të nxirren para drejtësisë. Sipas tij, tha se vetëm në këtë mënyrë do të fillojë rehabilitimi për viktimat e luftës së fundit në Kosovë.

Pas homazheve tek lapidari i masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë, Kurti theksoi se drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjatë për siguri për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale.

"Këtu në Pejë bëmë homazhe te lapidari duke u përulur e përkujtuar 40 të vrarët gjatë luftës së fundit në Kosovë nga forcat serbe këtu në lagjen ‘Dardania’. Drejtësia dhe e vërteta janë të domosdoshme për paqe afatgjatë, për siguri për të gjithë dhe për marrëdhënie të mira fqinjësore e normale. Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale në Kosovë, ndërkaq Prokuroria e Kosovës, Prokuroria Speciale duhet të punojë ditë e natë në mënyrë që përgjegjësit të identifikohen, të nxirren para drejtësisë dhe në këtë mënyrë të fillojë rehabilitimi për viktimat, ku dihet se viktima nuk janë vetëm të vrarët e të rrëmbyerit por edhe familjet e tyre, farefisi e mbarë shoqëria jonë", tha Kurti.

Ndërkaq, të zhgënjyer nga puna e institucione në lidhje me organizimin e këtyre përvjetorëve, janë shprehur familjarët e dëshmorëve.

Familjar i dëshmorit, Ismet Nikqi, Besimi është shprehur i zhgënjyer me punën e institucioneve. Ai tha se duhet më shumë punë në këtë drejtim.

Kushtrim Gashi, familjar i pesë familjarëve të vrarë tha se institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë sa duhet, pavarësisht që dëshmorët kanë dhënë jetën e tyre për liri.

Bashkë me kryeminsitrin Kurti në homazhe pranë lapidarit të masakrës në lagjen “Dardania” në Pejë, ishin edhe kryetari i Komisionit qeveritar për persona të zhdukur, Andin Hoti dhe kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari.

Në këtë 24 vjetor sot kujtohen dhe nderohen 71 viktimat e lagjes Dardania 1,2 dhe 3.

Më 27 marsin e vitit 1999, banorët e lagjes Dardania në Pejë kishin përjetuar një tmerr kur paramilitarët serbë, kishin filluar t’i ndanin burrat nga familja e tyre dhe më pas i kishin pushkatuar dhe hynë edhe në shtëpitë e këtyre lagjeve ku kryen masakra të rënda.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025