Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ku u bisedua për mundësitë e shtimit të bashkëpunimit në turizëm dhe zhvillimin e një oferte turistike të përbashkët konkurruese në rajon, që promovon asetet turistike, kulinare e artizanale të të dyja vendeve.
Sipas Qeverisë, në këtë takim u fol edhe për mundësitë e shkëmbimit të përvojave në bujqësi e agroturizëm.
Ndreu shprehu mirënjohjen e tij për qytetarët e Republikës së Kosovës për mbarëvajtjen e sezonit turistik veror në Lezhë. Ai u shpreh i lumtur që tashmë është ngjizur një sistem i bashkëpunimit real, dhe që ndjehet krenar që Kosova dhe Shqipëria ushqejnë njëra-tjetrën nëpërmjet turizmit.
Qeveria nëpërmejt një komunikate tregon se në takim morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, zëvendëskryetarja e Bashkisë së Lezhës, Eueda Molla, Drejtori i Turizmit në Bashkinë e Lezhës, Renaldo Xhanej, si dhe ndërmarrës e prodhues vendorë nga Bashkia e Lezhës.