Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova, përgjatë viteve të fundit, ka bërë progres të madh përpara në tranzicionin energjetik e agjendën klimatike duke treguar vizionin e angazhimin e madh për një të ardhme të qëndrueshme.
“Krahas përkrahjes institucionale, kryeministri Kurti, foli edhe për investimet në ndërtimin e kapaciteteve të ripërtëritshme, ku me këtë rast theksoi se është planifikuar ndërtimi i 950 megavatëve të energjisë së ripërtëritshme përmes projekteve konkurruese. Ai veçoi organizimin e ankandin e energjisë diellore me kapacitet prej 100 MË, si shembull suksesi, dhe shtoi se të njëjtin sukses e presin për projektet konkurruese për 150 MË të erës”, thuhet në komunikatë.
Në hapjen e Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kosovës, kryeministri potencoi se një ndër projektet më inovative në rajon, e më gjerë, është Solar4Kosovo përmes të cilit do të sigurohet ngrohje qendrore prej energjisë diellore për 60,000 qytetarë, dhe 100 MË të energjisë diellore për KEK-un duke e bërë atë pjesë të tranzicionit të gjelbër.
Tutje, kryeministri theksoi se në mars të këtij viti, ministrat Rizvanolli dhe Aliu, dhe ministrja e shtetit për Evropë dhe Klimë të Gjermanisë, Ana Lurhman, e cila ishte e pranishme edhe sot në hapjen e Javës për Zhvillim të Qëndrueshëm, nënshkruan Partneritetin Klimatik dhe të Tranzicionit të Energjisë.