Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që anëtarësimi i Kosovës në Bashkimin Evropian të ndahet nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Ai nga Shkupi, ku u mbajt samiti, “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor”, tha se aktualisht dialogu po zhvillohet vetëm në relacionin mes kryenegociatorit Besnik Bislimi dhe përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajçak, për përcaktimin e hapave të mëtutjeshëm.
Kurti në konferencën për media pas samitit rajonal, nënvizoi sërish se që Ballkani Perëndimor të integrohet ekonomikisht dhe qytetarët të afrohen nevojitet që që paqja me sundim të ligjit të mbizotërojë, ndërsa kërcënimet e sigurisë të pushojnë.
“Që rajoni i Ballkanit Perëndimor të integrohet ekonomikisht dhe që qytetarët të afrohen, nevojitet që paqja me sundim ligji të mbizotërojë dhe kërcënimet e sigurisë të pushojnë...”, theksoi Kurti.
I pyetur për Ballkanin e Hapur, Kurti tha se ai nuk është mjaftueshëm evropian dhe s’ka as strategji zhvillimi dhe as plan veprimi.
Krahas kësaj, Kurti tha se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk merr pjesë në zgjedhje në Maqedoninë e Veriut.