Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se albanologjia te shqiptarët lindi si dije aktive e luftarake e lidhur me ngritjen e vetëdijes kombëtare. Në këtë formë, siç tha ai, janë mbrojtur të drejtat dhe interesat kombëtare të shqiptarëve në ballkan. Kështu u shpreh shefi i ekzekutivit në hapje të konferencës shkencore “Java e Albanologjisë”, ku shtoi se dija fillestare albanologjike ndihmoi në zgjimin kombëtar të shqiptarëve.
Java e Albanologjisë, sipas Kurtit, është kthyer në traditë për çka shtoi se ka nisur me interesim të shkencëtarëve të huajë me çështjen shqiptare.
Katedrave të gjuhës, etnologjisë dhe historisë shqiptare në Kosovë e Shqipëri, siç shtoi Kurti iu desh që me gjuhën e shkencës të argumentonin se “shqiptarët nuk ishin të vonshëm në ballkan”.Lulëzim Lajçi në emër të Institutit Albanologjik tha se kjo javë shënon aktivitetin më të rëndësishëm. Ai tregoi se ky është edicioni i 15-të dhe janë organizuar pesë sesione.