Kurti: 2 prillin ta shndërrojmë në ditë të përditshme për personat me autizëm
Lexohet për: 3 min.
sdd
1 vit më parë
Linku u kopjua

Me pankartat “Fëmijët me autizëm nuk ju injorojnë, ata presin të hyni në botën e tyre", "Autizimi thërret: Bëjeni Ligjin për Gjithëpërfshirje", "Autizmi është veçanti, nuk është uniformë", sot, fëmijët bashkë me kryeministrin, përfaqësues të shoqatës “Autizmi” dhe përfaqësues nga Komuna e Prishtinës dekoruan pemën pranë qeverisë, ku u shënua Dita Ndërkombëtare e Vetëdijësimit për Çrregullimin e Spektrit të Autizmit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u zotua se do të punojnë për mbrojtjen, për promovimin dhe jetësimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi, e në veçanti për respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara apo me nevoja të veçanta.

Ai tha se në këtë vit do të punësojnë edhe 300 asistentë dhe pedagodë në shkolla, që do të kujdesen për personat dhe fëmijët me autizëm.

Kryeministri i inkurajoi ndërmarrësit në sektorin privat që të punësojnë sa më shumë persona me aftësi të kufizuara.

Kurti tha se duhet të punojnë për krijimin e kushteve sa më të mira për personat me aftësi të kufizuara.

“Duhet të punojmë bashkërisht edhe si institucione dhe si shoqëri për krijimin e kushteve sa më të mira për personat me aftësi të kufizuara dhe në këtë mënyrë 2 prilli të mos jetë vetëm dita botërore e autizmit, por ta shndërrojmë në ditë të përditshme të angazhimit dhe të përkushtimit tonë për personat me autizëm që janë fëmijë të të gjithë neve e jo vetëm të familjeve të tyre.”, tha ai.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se duhet punuar që fëmijët, personat me me autizëm të jenë pjesë aktive e shoqërisë.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës për Autizëm, Cen Krasniqi u shpreh se trajtimi i autizmit për kushtet në Kosovë është sfidë e shumfishtë.

Ai tha se qeveria dhe e tërë shoqëria duhet të jenë më të vetëdijshëm se nevojat e tyre janë të mëdha.

Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm. Kjo ditë, e cila do të shënohet edhe në Kosovë është vendosur më 2 prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas./KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024