Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili tha se kursimet prej 16.41 cent të deklaruara nga kryeministri Albin Kurti janë “hile e një njeriu që jeton pa ndonjë kokëçarje financiare”.
Në seancë plenare, ai tha se kjo shifër është manipulim i varfërisë, që siç shtoi, nga një njeri i cili nuk jeton si i varfër po sillet si i tillë.
“Kryeministri nuk ka kokëqarje të varfërisë, mos u mërzitni. Realitetin që mund të besohet është se as pare në kuletë nuk mban. A e din kush tjetër s’ka pare në kuletë? Një familjar që barnat e kancerit po duhet me i ble për shkak të mungesave të mëdha ose atyre që ju duhen 200 euro në ditë për barnat që po i blejnë me kontrabandë për shkak se Qeveria e kryeministrit nuk i siguron. Një kryeministër si ti nuk ka problem financiar se çfarë sjell dita, java apo muaji. Një kryeministër si ti nuk mund të barazohet me një baba që në mes të muajit futet në shtëpinë e tij e sheh familjen e tij dhe mbi supet e tij qëndron një barrë që sa nuk e shemb”, shtoi ai.