Nën drejtimin e ministres së Turizmit dhe Mjedisit së Shqipërisë Mirela Kumbaro është mbledhur Task Forca e turizmit, në vijim të punës që ka nisur që në tetor për përgatitjet e sezonit.
Kumbaro vuri theksin në bashkëpunimin e të gjitha instancave shtetërore për mbarëvajtjen e sezonit, duke njoftuar edhe nisjen e një aksioni final me ndihmën e ushtrisë në dhjetë ditët e fundit të muajit maj.Gjithashtu ministrja njoftoi se strukturat e përkohshme të shërbimit, të quajtura ndryshe si “beach bar” kanë kaluar nën filtrin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit dhe janë publikuar lejet për to.
“Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar të gjitha lejet e beach-bareve në koordinim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe bashkive, duke i publikuar ato edhe online. Kjo është hera e pare që ndodh. Për menaxhimin e stacioneve të plazheve nga subjektet private kishim 540 aplikime të kualifikuara, por 24 rezultojnë se nuk kanë shlyer detyrimet tatimore. Për këtë shkak, siç e kemi njoftuar që në janar, nuk do t’u lidhet kontrata. Të gjithë kanë edhe detyrimin për të pasur rojën bregdetare dhe për këtë do të ketë kontrolle”, tha Kumbaro.
Pjesë e takimit të Task Forcës ishin drejtues të Policisë së Shtetit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Kulturës, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit etj.